• Intervistë e drejtorit gjeneral të ShA MEPSO Orhan Murtezani për Kapital: Na  pret një dimër shumë i vështirë në planin energjetik, por po bëjmë gjithçka që qytetarët dhe kompanitë ta kalojnë sa më lehtë

Intervistë e drejtorit gjeneral të ShA MEPSO Orhan Murtezani për Kapital: Na pret një dimër shumë i vështirë në planin energjetik, por po bëjmë gjithçka që qytetarët dhe kompanitë ta kalojnë sa më lehtë

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

-Kur vërejti për herë të parë MEPSO se po fillon një krizë energjetike dhe si arriti vërshimi i saj në tregun tonë energjetik?

Duke marrë parasysh se Maqedonia e Veriut është vend i varur nga importi për sa i përket nevojave për energji elektrike, në vitin 2021 importi neto arriti  33,15%, ndërsa për vitin 2020 importi neto është 31,38%, shfaqja e krizës energjetike në tregun evropian do të thotë se edhe ne nuk mundemi të jemi imun ndaj kësaj  krize.

Dy momente kyçe paralajmërojnë shfaqjen e krizës energjetike edhe në tregun tonë: rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë dhe pamundësia e ESM për të përballuar konsumin e brendshëm të energjisë.

Në periudhën e krizës elektroenergjetike, pra me shfaqjen e rritjes së papritur dhe rritjen enorme të çmimeve të bursave referente nga rajoni, disa nga furnizuesit e energjisë elektrike përballen me ndërprerjen e kontratave bilaterale si dhe me pamundësinë për të siguruar mjaftueshëm sasi të  energjisë elektrike për të përmbushur detyrimet nga kontratat e furnizimit me klientët e tyre.

Ndërsa nga ana tjetër, ESM, veçanërisht në muajin tetor, për shkak të avarive dhe problemeve me prodhimtarinë, filloi tërheqjen e energjisë elektrike nga sistemi. Për këtë arsye arrin deri te angazhimi i   konsiderueshëm i  rezervave të sistemit nga ShA MEPSO, por edhe tërheqje të energjisë elektrike nga ndërlidhja evropian.

Përdorimi i rezervave të sistemit si dhe tërheqja e energjisë elektrike nga indërlidhja europiane  rezultoi me lëshimin e vlerave jashtëzakonisht të larta të faturave për shlyerjen e disbalancave për ato palë përgjegjëse të bilancit që devijuan më shumë.

Për tu bërë më e qartë, vetëm në muajin tetor lëshimet, pra rryma e tërhequr nga sistemi arrin vlerën mbi 30 milionë euro, pra gati 95 mijë MWh.

-Çfarë masash keni marrë për të minimizuar efektet e krizës energjetike,  hapat e para që keni marrë? A është MEPSO këtë vit më e përgatitur se vitin e kaluar për menaxhimin e krizës?

Gjatë  vitit 2021, kriza energjetike i gjeti pothuajse të gjithë të papërgatitur. Duke u nisur nga një përvojë e tillë, veçanërisht nga tërheqja enorme e papritur e energjisë elektrike nga sistemi, së pari filluam procesin e ndryshimit të rregullave të tregut për shkak se në atë kohë ShA  MEPSO kishte një pasqyrë të përditshme vetëm për energjinë elektrike që furnizuesit kishin blerë nga tregu i hapur, por jo në kontratat e furnizimit.

Megjithatë, për të përcjellë dhe përcaktuar devijimin e furnizuesit për çdo orë, nevojiten të dhëna për sasinë e energjisë elektrike të blerë (plani i konsumit) dhe konsumin real. Sipas rregullave të reja të tregut, të cilat janë para miratimit nga Komisioni  Rregullator  për Energjetikë, ShA MEPSO do të ketë një pasqyrë në baza ditore të konsumit të shpallur, të nominimeve dhe në rast të ndonjë luhatjeje do të ketë mundësi për të reaguar në mënyrë preventive  për të parandaluar devijimet, të cilat do të rruajnë sistemin, dhe në të njëjtën kohë do të parandalohen pasojat financiare për kompaninë.

Një hap tjetër është edhe rritja e garancive bankare për pjesëmarrësit e tregut. Ka kompani që garancitë bankare u janë rritur tre apo katërfish. Pastaj, duke u nisur nga fakti se përpos që disa kompani kishin garanci të vogla, ato ishin themeluar si ShPKNjP - dhe me 5000 euro kapital themelues.

Edhe pse kemi iniciuar konteste juridike,  është shumë e vështirë pagesa e borxheve. Të mësuar nga kjo përvojë, ne kemi futur një klauzolë të detyrueshme në kontratat e të gjitha palëve përgjegjëse të bilancit. Gjithashtu, ndër hapat e parë ishin masat kundër krizës për racionalizimin e kostove dhe planet investuese të kompanisë.

Në kohë krize, është shumë e rëndësishme të njihni gjendjen financiare të kompanisë dhe të siguroni likuiditet, pra cash flow të qëndrueshëm. Pikërisht për këtë kemi bërë menjëherë ndryshime në Programin Vjetor të Investimeve për  vitin 2022 të ShA  MEPSO, është bërë  optimizim dhe racionalizim i  aktiviteteve  investuese të ShA MEPSO në vlerë të përgjithshme prej 641.662.956 denarë ose 10.433.544 euro, gjegjësisht zvogëlim prej 24,8% nga gjithsej mjetet e planifikuara. Nga masat e kursimit, vetëm në bazë të shpenzimeve të udhëtimit, derivateve për vetura zyrtare dhe telefonisë mobile për gjashtë muajt e parë të vitit 2022, kemi arritur të kursejmë rreth 7 milionë denarë.

 

- Si ndikon kriza energjetike në rezultatet e operimit të MEPSO-s, duke pasur parasysh rritjen e kostove të energjisë elektrike?

Rritja e çmimeve të tregut ushtron një presion të madh në të hyrat e  kompanisë. Funksionimi i përgjithshëm duhet të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe flukset e parasë duhet të ndiqen me kujdes në mënyrë që të mos hasim probleme gjatë funksionimit. Për ta bërë më të qartë se me çfarë rritje të shpenzimeve po përballemi, do t'ju jap shembull të shpenzimeve në bazë të shërbimeve të sistemit dhe shpenzimeve për mbulimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit. Kostot e shërbimeve të sistemit në gjysmën e parë të vitit  2022 arritën në 9.7 milionë euro, që është dy herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Ndërsa kostot e humbjeve teknike për të njëjtën periudhë kalojnë 10 milionë euro, ose janë më të larta për 336% krahasuar me vitin 2021.

 

- A keni arritur të realizoni të gjitha projektet kapitale dhe investimet në këtë kohë krize?

Sigurisht, nuk është aspak e lehtë të  jesh në hap me investimet në kohë të tilla krize. Veprimtarinë që  kryen  MEPSO, kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe investime për modernizimin e rrjetit të transmetimit. Të dhënat tregojnë rritje të përqindjes së realizimit të investimeve në gjysmën e parë të vitit 2022, duke arritur në 21.03%, dhe përqindja e realizimit për  vitin 2021 ishte 15.03%. Një trend i tillë sigurisht që do të vazhdojë edhe në gjysmën e dytë të vitit  2022. Njëkohësisht jemi në fazën finale të fillimit të procedurës së tenderimit për projekte mbi 10 milionë euro. Përveç fushës së modernizimit, ngadalë po hapim një kapitull të ri për dixhitalizimin e rrjetit të transmetimit  të ShA MEPSO. Për ta përmbledhur, për të qenë i sinqertë, kjo i tejkalon pritshmëritë tona në  këto kohë krize, por këmbëngulja, përkushtimi dhe puna e palodhur e Këshillit  Drejtues dhe ekipeve profesionale sigurisht që dhanë fryte.

 

- Të gjitha institucionet, përfshirë edhe Qeverinë, kërkojnë nga qytetarët që të kursejnë. Ju njoftuat pak kohë më parë se keni ulur ndjeshëm kostot e përfaqësimit, udhëtimit dhe gjërave të ngjashme, a janë planifikuar masa të tjera kursimi në kompani?

Si kompani e përgjegjshme dhe faktor relevant në sektorin e energjetikës, duhet t’u prijmë masave të kursimit  në këto kohë krize  energjetike, sepse nëse kërkojmë nga qytetarët të kursejnë, duhet të jemi të parët që do ta zbatojmë.

Nga data 01.09 janë në fuqi masat e kursimit, me të cilat konsumi i energjisë elektrike duhet të ulet për 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto masa përfshijnë fikjen e ndriçimit dekorativ në fasadë dhe reklamën me ndriçim të ShA  MEPSO në çatinë e ndërtesës administrative; fikja e dritave kur ka dritë dielli të mjaftueshme dhe kur në zyra nuk ka punonjës; fikja e kompjuterëve pas përfundimit të detyrave të punës; printohen vetëm materialet e nevojshme dhe ekskluzivisht në printerë rrjeti; kondicionerët janë vendosur të ftohin ambientin  jo më pak se 27 gradë, domethënë të ngrohin jo më shumë se 20 gradë; nga tetë ashensorë funksionon vetëm një; ndalohet përdorimi i pajisjeve shtesë për ngrohjen ose ftohjen e ambienteve.

Dimri këtë vit do të jetë i vështirë, të gjithë ekspertët apelojnë që të kursejmë sa më shumë sepse çdo kursim sado i vogël, përveç uljes së kostove të energjisë elektrike për amvisëritë , na ndihmon edhe për të mbajtur të qëndrueshëm sistemin elektroenergjetik në vend.

-Për në fund, në janar të këtij viti  keni marrë udhëheqësinë  e MEPSO-s. Nëse do të ktheheshit, a do të pranonit të ishit sërish në këtë vend, duke marrë parasysh të gjitha sfidat me të cilat përballeni?

E dini se si, në fillim të këtij viti, kur partia nga e cila unë vij, Alternativa, u bë pjesë e Qeverisë dhe gjatë shpërndarjes së përgjegjësive në një bisedë me kryetarin e partisë, ne ishim të vetëdijshëm se  përgjegjësia  që marrim, është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe, por unë çdo krizë e shoh si një sfidë dhe një mundësi për të arritur rezultate në interes të qytetarëve përmes menaxhimit dhe funksionimit të përgjegjshëm.

Kur ke një vizion dhe synim të qartë dhe kur i vetmi udhërrëfyes në punën tënde është transparenca, përgjegjshmëria dhe efikasiteti në punë, çdo sfidë e përballon shumë më lehtë. Qytetarët që nuk paguajnë duhet të sigurohen se fondet e tyre përdoren aty ku janë më të nevojshme. Përvoja e gjatë në sektorin privat, por edhe si drejtor i përgjithshëm  i Hekurudhave të Maqedonisë, më mësoi se vetëm njerëzit që e dinë punën e tyre dhe janë ekspert në të mund të jenë shtytës të vërtetë përpara. Së bashku kemi përfunduar shumë projekte, por kemi filluar dhe jemi në fazën e ekzekutimit të disa të tjerave që duhet të rezultojnë në përmirësimin e rrjetit të transmetimit dhe stabilitetin energjetik. Synimi ynë kryesor është ta kalojmë këtë dimër sa më lehtë dhe të sigurtë dhe çdo ditë bëjmë përpjekje për ta siguruar këtë.


© 2024 MEPSO. Të gjitha të drejtat e rezervuara.