Sistemi elektrotransmetues është stabil dhe i qëndrueshëm me devijime minimale ose devijime që janë brenda kufijve të planifikuar dhe të lejuar. Në periudhën në vijim nuk presim vështirësi në menaxhimin e sistemit dhe presim që ky trend të vazhdojë, deklaroi kreu i ShA MEPSO, Orhan Murtezani, në konferencën e sotme për media. Duke bërë një përmbledhje të veprimtarisë së deritanishme, ai potencoi se përqindja e realizimit të investimeve të planifikuara në vitin 2022, I tejkalon dyfish investimet në vitin 2021. Përkatësisht, ShA MEPSO këtë vit e mbyll me 42,48% realizim të planit të përgjithshëm investues krahasuar me 23% të realizuar vitin e kaluar. Në të njëjtën kohë, kostot totale operative u reduktuan me 13.4%, dhe rënia më e madhe ishte te pagat dhe përfitimet për punonjësit me 9.47%.
“Planet janë edhe më ambicioze për vitin e ardhshëm 2023”, deklaroi Murtezani. ShA MEPSO vitin e ardhshëm do të investojë 16 milionë euro nga mjetet e veta në projekte kapitale, për prokurimin e reaktorit të ri dhe transformatorit të ri për TS Dubrovë, si dhe për sistemin e ri SCADA në Qendrën nacionale dispeçer.
Sa i përket burimeve të ripërtëritshme të energjisë, Murtezani theksoi se kompania po përballet me një rritje të kërkesave për instalimin e termocentraleve fotovoltaike FEC dhe termocentraleve me erë. Në rrjetin e transmetimit mund të kyçen 750 MW BRE, por kërkesat për kyçje janë dhjetë herë më të mëdha. “Po bëjmë gjithçka me mundësitë tona që ato burime të energjisë t'i lidhim në rrjetin e transmetimit në një numër sa më të madh, por nëse dhe sa mund të rritet kapaciteti i rrjetit të transmetimit do të tregohet nga studimet e vazhdueshme, megjithatë, nuk varet vetëm nga MEPSO por edhe nga kapaciteti i ESM-së për balancim”, sqaroi Murtezani.
Në pritje të vendimit të Komisionit Rregullator të Energjetikës nëse çmimi i energjisë elektrike do të pësojë ndryshime nga 1 janari, ShA MEPSO kërkon rritje të tarifës së rregulluar për 29.75% për shkak të rritjes së çmimeve për mbulimin e humbjeve në rrjetin elektrotransmetues, kostot për dhënien me qira të kapaciteteve balancuese dhe rritjen e çmimeve për të mbuluar nevojat personale për energji elektrike. “Ne u përpoqëm ta mbajmë rritjen brenda kufijve të pranueshëm, por sido që të jetë vendimi i rregullatorit, përqindja e tarifës së transmetimit në çmimin përfundimtar të energjisë elektrike nuk kalon 5%,” theksoi Murtezani.
Si rezultat i masave të kursimit të energjisë elektrike që kompania i praktikon që nga fillimi i krizës energjetike, në muajin nëntor kursimet e ShA MEPSO arritën në 14.7% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. E shprehur në para, totali i kursimeve kap shumën prej 47,000 euro.