Drejtori Gjeneral i ShA MEPSO z. Burim Latifi së bashku me bashkëpunëtorët, në Prishtinë realizoi një takim tejet të rëndësishëm me homologun e tij nga KOSTT, u.d. Kryeshefin Ekzekutiv, z. Shaban Neziri.
Në qendër të vëmendjes ishte projekti strategjik për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Tetovë - Prizren, i cili synon të krijojë një lidhje të fuqishme ndërmjet dy sistemeve energjetike të Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës. Kjo linjë është pjesë e planeve afatgjata për zhvillimin e rrjetit, të harmonizuara me udhëzimet e ENTSO-E.
Përfitimet nga ky projekt do të jenë të shumëfishta, përfshirë:
• Rritjen e kapaciteteve të ndërlidhjes ndërmjet dy vendeve;
• Përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji;
• Krijimin e mundësive për tregti më efikase të energjisë në rajon;
• Mbështetjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme, në kuadër të tranzicionit të gjelbër dhe objektivave afatgjata për energjinë e qëndrueshme.
Palët u pajtuan që në periudhën në vijim të rrisin bashkëpunimin teknik dhe institucional, për të mundësuar realizimin e suksesshëm të këtij projekti strategjik për të dy vendet dhe për stabilitetin energjetik të rajonit.