Operatorët elektrotransmetues të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, ShA MEPSO dhe OST vazhdojnë përgatitjet për kyçje përmes largpërçuesit interkonektiv.
Në selinë e OST-së në Tiranë u mbajt një takim pune mes ekipeve menaxhuese të dy kompanive me qëllim shkëmbimin e informacionit mbi situatën aktuale në lidhje me projektin e interkoneksionit midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Drejtori Gjeneral i ShA MEPSO z. Kushtrim Ramadani dhe administratori i OST, z. Skerdi Drenova, ndanë informacione në lidhje me detajet e projektit dhe ranë dakord për formimin e një ekipi të përzier pune të përbërë nga inxhinierë dhe udhëheqës nga të dy operatorët e sistemit të transmetimit , i cili do të ketë detyra për të koordinuar dhe përshpejtuar aktivitetet në terren për ndërtimin largpërçuesit interkonektiv prej 400 kV. Ky grup punues do të ketë takimin e tij të parë në fund muajit prill.
Në takimin punues, i cili u mbajt në frymën e respektit dhe gatishmërisë së ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit aktiv midis ekipeve menaxhuese të dy kompanive, nga pala maqedonase morën pjesë edhe Borko Aleksovski, drejtori i Operatorit të Rrjetit të Transmetimit në ShA MEPSO dhe projekt menxheri Veton Shaipi, ndërsa nga pala shqiptare morën pjesë drejtorët Dorjan Sejamini dhe Sokol Dishnica.
Në projektin kapital, i cili përfshin ndërtimin e largpërçuesit 400 kV në gjatësi prej 97 km nga Manastiri deri në kufirin maqedono-shqiptar si dhe stacion të ri transformatori prej 400/110kV në afërsi të Ohrit, do të investohen 35 milion euro.