- Z.Kushtrim Ramadani, do të fillojmë me pyetjen më aktuale për momentin: a na pret një dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike?
Po, ne jemi duke u përballur me një pasiguri sa i përket furnizimit me energji elektrike, edhe pse qytetari i thjeshtë mund të mos e vërejë për momentin sepse nuk ka restrikcione në furnizim, etj. Megjithatë, ne në MEPSO, të cilët çdo ditë përballemi me ruajtjen e stabilitetit të rrjetit dhe unë si personi i parë i shoqërisë, me përgjegjësi vërtetoj se situata është alarmante.
Problemet nuk janë nga sot, ne që para 3-4 muajve vumë re që çmimet e energjisë elektrike në bursat evropiane filluan të rriten. Në fillim të gushtit kam kërkuar një takim joformal me Komisionin Rregullator të Energjetikës, në të cilin jam munduar t'i bind kolegët e mi se do të kemi një dimër të vështirë përpara. Çmimet e energjisë elektrike në Evropë filluan të rriten ndjeshëm dhe hidro rezervuarët tanë janë pothuajse bosh. Atëherë rezervat e akumuluara ishin rreth 20%, tani kanë arritur në 10%. Siç e dini, vitin e kaluar nuk kishte borë, dhe sezoni ishte i thatë për sa i përket reshjeve.
-Pse janë të rëndësishme hidroakumulimet nëse 70% - 80% të prodhimit të energjisë elektrike e marrim nga termocentrali KME Manastir?
Sepse kur kemi çekuilibër të prodhimit dhe konsumit, dhe muajt e fundit ne dukshëm po bërballemi me këtë çekuilibër, duke ngritur nivelin e ujit në rezervuarët ne ruajmë mundësitë e tensionit në sistem. Dhe tani, hidrocentralet praktikisht nuk janë në funksion, ndërsa KME Manastir punon vetëm me një bllok, për të cilin, siç e dini, duhet të blejmë thëngjill dhe kemi vështirësi në këtë aspekt. Duhet të blejmë thëngjill edhe për KME Oslomej, ndërsa TEC Negotino që operon me naftë e kemi problem ta vëmë në dispozicion me kapacitet të plotë. Pasoja e gjithë kësaj është se ne aktualisht mund të prodhojmë rreth gjysmën e energjisë elektrike që konsumojmë çdo ditë, dhe pjesa tjetër duhet të importohet. Dhe vetëm imagjinoni që temperaturat janë ende relativisht të larta dhe dimri është pothuajse afër, që do të thotë se konsumi i energjisë elektrike akoma do të rritet.
-Sa energji elektrike duhet të importojmë çdo ditë? Sa është ndryshimi mes asaj që prodhojmë dhe shpenzojmë si shtet?
Në rrethana më normale, p.sh. gjatë vitit 2015 energjia elektrike e importuar përbënte 33% të konsumit, pastaj në vitin 2020 kemi një rritje të theksuar të importeve dhe gjatë vitit 2021 pjesa e energjisë elektrike të importuar do të jetë edhe më e madhe. Rreth 4.500 megavat orë është diferenca mes prodhimit dhe konsumit në ditë, pra na mungon prodhimi, na mungon energjia në rrjet. E tërë kjo gati arrin shumën prej një milion eurësh energji elektrike ditore, sipas çmimeve aktuale në bursat evropiane.
Për shkak se nuk mund të prodhojmë aq sa shpenzojmë, tërheqim nga rrjeti evropian, do të thotë çekuilibrin tone në rrjet, e transferojmë në rrjetin evropian, gjë që nuk duhet ta bëjmë.
Prandaj, për të katërtën herë radhazi, MEPSO merr paralajmërim nga Swissgrid, qendra e Araut-Zvicër, e cila kontrollon rrjetin elektrik të Evropës Qendrore, gjegjësisht softueri i tyre monitoron pa ndërprerje çdo devijim, që nga ana tjetër shkakton devijime në frekuencë të rrjetit elektrik, i cili duhet të jetë 50 herc. Devijimi i lejuar në frekuencë është 0.2%, dhe kur është më i lartë, mund të shkaktojë, për shembull, problem në orët dixhitale (orët me zile, orët në stacionet hekurudhore dhe aeroportet, në fabrika, etj.) të cilët funksionojnë sipas frekuencës së caktuar. Do të thotë, ne po ndërhyjmë në rrjetin energjetik të Evropës Qendrore dhe autoritetet nga atje janë mjaft të frustruar për shkak të kësaj situate.
Ky është një problem serioz dhe disa herë kam apeluar deri te të gjitha palët e interesuara – ministritë përkatëse, Qeveria, ERC-ja, KME-ja dhe EVN – ja, që të rregullohet prodhimi dhe konsumi.
- Si do ta rregullojmë atë?
Duhet të rrisim prodhimin vendor në çdo mënyrë të mundëshme ose do të blejmë energji elektrike nga importi, me çmimet aktuale të cilat arrijnë në 270 euro për megavat orë, dhe po i njëjti çmim vitin e kaluar ishte rreth 50 euro. Nuk kemi tjetër zgjidhje, ndryshe do të mbetemi pa energji elektrike dhe do të kemi restrikcione.
-Pse çmimi i energjisë elektrike në Evropë arriti në këto nivele? Çfarë ndodhi me tregun?
Çmimi i lartë është si pasojë e një gërshetimi të ca faktorëve. Së pari, vendet e Evropës Perëndimore, duke ndjekur axhendën ambicioze të BE-së për të eliminuar të gjitha lëndët djegëse fosile si burime energjie deri në vitin 2050, filluan të mbyllnin termocentralet me qymyr dhe termocentralet bërthamore, me Gjermaninë në krye. Në atë periudhë të tranzicionit deri në kalimin e plotë drejt burimeve të ripërtëritshme - erës, diellit dhe ujit - gazi është karburanti primar i përdorur nga termocentralet në vendet evropiane. Deri para ca kohësh, gazi ishte i lirë dhe nuk kishte probleme me çmimin e energjisë elektrike, por çmimi i gazit tashmë po thyen rekorde, sepse Rusia, e cila është furnizuesi kryesor i Evropës me gaz, ka ca llogari në kontekstin e gjeopolitikës globale dhe rrjedhimisht çmimet e energjisë elektrike u rritën ndjeshëm.
Pastaj, në Evropën Perëndimore kishte kushte jo të favorshme hidrologjike, që do të thotë se rezervuarët hidro nuk mund të mbusheshin, ndërkohë edhe era u zhduk në teritorin e Gjermanisë, Spanjës dhe në vende të tjera që kanë kapacitete të rëndësishme të instaluara në fermat e erës.
Dhe tani ja ku jemi, kemi çmime të energjisë elektrike deri në pesë herë më të larta se një vit më parë, dhe ajo që është më keq, na mungon energji elektrike, domethënë sasitë nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur konsumin.
- A do të thotë kjo se edhe ekonomitë e zhvilluara të BE-së kanë mungesë të energjisë elektrike për momentin?
Po, energjia elektrike është një problem global për momentin, sepse situata nuk është e vështirë vetëm në Evropë, mungesë të energjisë elektrike ka edhe në Kinë, "fabrika e botës" për momentin, ku energjia elektrike merret kryesisht nga termocentralet me qymyr, dhe ata nuk kanë sasi të mjaftueshme të qymyrit, kështu që ata duhet të importojnë nga Rusia, etj. Për shkak të ndikimit të pandemisë, d.m.th duke menduar se bllokimet do të zgjasin më shumë, ata nuk kanë sasi të nevojshme të planifikuar të energjisë dhe tani fabrikat e tyre janë në pushim, kështu që e gjithë bota pëson nga kjo siuatë d.m.th të gjitha industritë që janë në pritje të pjesëve dhe lëndëve të para nga Kina.
Në disa vende të Evropës Perëndimore, energjia elektrike tashmë është për 40%, 50% më e shtrenjtë dhe me këtë situata po rëndohet më shumë. Në BE, energjia elektrike është në një treg plotësisht të liberalizuar dhe amvisëritë tashmë po vuajnë pasojat e kësaj luhatjeje të çmimeve. Në Maqedoninë e Veriut, siç e dini, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë është i rregulluar, i subvencionuar dhe aktualisht është në po të njëjtin nivel.
- A ka mundësi që së shpejti të rritet çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë për shkak të të gjithë këtyre faktorëve që keni paraqitur deri tani?
Për shkak të standardit të ulët të jetesës në vend, tregu i energjisë elektrike nuk është plotësisht i liberalizuar, pra energjia elektrike për amvisëritë trajtohet si kategori sociale dhe çmimi i saj ndryshohet vetëm me vendim të shtetit. Aktualisht, energjinë elektrike deri te amvisëritë e transmeton furnizuesi universal EVN Home, i cili e merr atë nga prodhuesi - Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (ESM) për rreth 36 euro për megavat/orë, që është 7-8 herë më e ulët se çmimi actual në bursat europiane. Por, imagjinoni sikur të liberalizohej edhe tregu i energjisë elektrike për amvisëritë dhe tani njerëzit, nëse paguanin 50 euro për energji elektrike në muaj, do të duhej të paguanin 200 apo 300 euro?!
Në Evropën Perëndimore çmimet e energjisë elektrike marrin pjesë proporcionalisht me një peshë shumë më të vogël në shportën mujore të konsumit sesa në Maqedoninë e Veriut, dhe në vendin tonë shteti ka vendosur të mbrojë standardin e jetesës, sado që kjo është jotregtare.
Por kjo ka çmimin e vet, pra shteti nga buxheti kompenson diferencën mes tregut dhe çmimit të rregulluar për amvisëritë. Dhe, siç ju thashë, tani kemi reduktuar prodhimin vendas të energjisë elektrike dhe duhet të importojmë më shumë se vitin e kaluar apo vitet e mëparshme. Me rrethanat aktuale, nuk e di se sa kohë do të jetë në gjendje shteti të subvencionojë çmimin për amvisëritë dhe nëse do të ketë një rritje së shpejti. Qeveria dhe KRrE njoftuan se nuk do të ketë ndryshime deri në fund të vitit, por më pas nuk dihet asgjë.
Dhe si reflektohen goditjet e çmimit të energjisë elektrike te personat juridikë, bizneset, sepse ata blejnë energji elektrike në tregun e hapur?
Kur rrethanat janë normale, tregu i liberalizuar është përfitim për konsumatorët, sepse furnizuesit e energjisë elektrike përpiqen secili të ofrojnë një çmim më të ulët, kështu që kemi pasur një situatë ku çmimi për konsumatorët e vegjël, p.sh., është më i ulët në tregun e lirë sesa në treg të rregulluar. Por tani kemi një problem global, një krizë globale energjetike dhe çmime marramendëse të energjisë elektrike në bursat evropiane, kështu që importuesit dhe furnizuesit e energjisë elektrike nuk mund të ofrojnë më çmime të ulëta. Ata reduktojnë marzhet e tyre në baza ditore për të ofruar çmime më të ulëta, por sa mund të ndikojë realisht kjo kur çmimet arrijnë në 270 euro për megavat-orë.
Prandaj ndodhin anulimet e kontratave nga furnitorët, të cilët u gjendën në një situatë të palakmueshme, sepse askush nuk mund ta parashikonte se deri ku do të shkonin çmimet e energjisë elektrike në bursat evropiane. Shteti mund t'iu heqë licencat, dhe ata mund të dështojnë, por ata janë një pikë në oqeanin e problemeve që kemi tani. Kompanitë që konsumojnë energji, duhet të siguronjë energji elektrike, sepse duhet të funksionojnë. Dhe unë tashmë kam informacion për kompanitë që janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike, tashmë kanë reduktuar kapacitetin prodhues. Kompani që janë pjesëmarrje të konsiderueshme në bruto produktin vendor dhe në eksportin e Maqedonisë.
Drejtor, si ndikon gjithë ky kontekst në punën e MEPSO-s? Vitin e kaluar kompania regjistroi një humbje prej gati 6 milionë eurosh, ky vit ndoshta do të jetë edhe më keq…
MEPSO si operator elektrotransmetues është i prekur shumë nga kriza aktuale energjetike. Së pari, nga pikëpamja e menaxhimit të rrjetit, siç ju shpjegoja më herët, rezervuarët e hidrocentraleve janë bosh dhe kemi vështirësi në rregullimin e tensionit në rrjet. Këto çmime marramendëse të energjisë elektrike në bursat evropiane, në baza ditore neve si operator na kushtojnë nga 600 mijë deri në një milion euro dhe deri në fund të muajit do të arrijnë në 15 milionë euro, të cilat duhet t'i paguajmë dhe kjo do të jetë një goditje e madhe për likuiditetin e MEPSO-s. Kemi pasur një hyrje vjetore në bazë të tarifave të transmetimit, prej rreth 30 milionë euro, kurse tani për një muaj duhet të japim gjysmën e asaj shume për shkak të devijimeve në rrjet. Nëse shteti nuk ndërhyn, deri në fund të muajit do të bëhemi jolikuidë sepse nuk do të mund të kryejmë detyrimet e rregullta.
Vitin e kaluar humbja ishte kryesisht për shkak të zvogëlimit të kapaciteteve ndërkufitare, d.m.th nëse paraprakisht paguanim nga 22-23 milionë euro për transmetimin e energjisë elektrike nga Serbia në Greqi etj., vitin e kaluar kjo shumë ishte përgjysmuar, pra 11 milionë euro, dhe këtë vit do të jetë rreth 9 milionë euro. Ai transmetim ndërkufitar u reduktua kryesisht për shkak të pandemisë, sepse në Greqi në sezonin e verës, p.sh., tërhiqet shumë energji elektrike nga Serbia dhe vendet e tjera përreth, dhe vitin e kaluar dhe këtë vit sezoni turistik është dukshëm më i dobët. Kështu, e gjithë kjo ndikoi ndjeshëm në rezultatet tona financiare.
“Këto çmime marramendëse të energjisë elektrike në bursat evropiane, në baza ditore neve si operator na kushtojnë nga 600 mijë deri në një milion euro dhe deri në fund të muajit do të arrijnë në 15 milionë euro, të cilat duhet t’i paguajmë dhe kjo do të jetë një goditje e madhe për likuiditetin e MEPSO-s. Kemi hyrje vjetore në bazë të tarifave të transmetimit, rreth 30 milionë euro dhe tani në një muaj duhet të japim gjysmën e asaj shume për shkak të devijimeve në rrjet. Nëse shteti nuk ndërhyn, deri në fund të muajit do të bëhemi jolikuidë sepse nuk do të mund të kryejmë detyrimet e rregullta’’.
Si ndikon përkeqësimi i rezultateve financiare në projektet aktuale të MEPSO-s?
Kemi një duzinë projekte që janë në zhvillim e sipër, do të përmendja vetëm largpërçuesin Manastir - Elbasan, i cili do të na sjellë një përfitim të madh në stabilitetin e rrjetit dhe do të na mundësojë një lidhje më të mirë me rrjetin e Evropës Perëndimore. Po punohet edhe për rivitalizimin e rrjetit në të gjithë vendin, sepse do të ketë gjithnjë e më shumë lidhje të prodhuesëve të rinjë të energjisë fotovoltaike dhe energjisë së erës dhe për këtë duhet të jemi të gatshëm.
Por tashmë projektet janë problematike, sepse kemi një situatë të përkeqësuar financiare. Për të përdorur linjën e hapur të kredisë së BERZH-it në vlerën prej 100 milionë euro, duhet të paraqesim disa tregues financiarë. Me deficitin e vitit të kaluar prej 6 milionë eurosh, mezi ia dolëm të përmbushnim kriteret dhe të mund të tërhiqnim para nga kreditë, por tani me këta tregues do të jetë praktikisht e pamundur. Nga ana tjetër, ne kemi nënshkruar marrëveshje me nënkontraktorët si Konçar, Energoinvest, Dalekovod Zagreb etj., të cilët në rast të bllokimit të pagesave ndaj tyre, mund të kërkojnë penalitete etj.
Në Forumin e Energjetikës të mbajtur së fundmi ju theksuat se ka një trend në rritje të kërkesave për kyçje të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjetin elektroenergjetik transmetues. Çfarë do të thotë kjo në veçanti për MEPSO-n, cilat janë detyrat më të rëndësishme për kompaninë në këtë kontekst dhe si do të ndikojë kriza aktuale në përmbushjen e tyre?
Skenari i gjelbër i Strategjisë nacionale për zhvillimin e energjetikës, parashikon integrimin e 750 megavat kapacitet të mullinjve me erë dhe 1350 megavat të tjera të termocentraleve fotovoltaike deri në vitin 2040, që do të thotë mbi 2 gigavat kapacitet total dhe interesi për burimet e ripërtëritshme të energjisë tashmë është tejkaluar nga dy - tre herë.
Integrimi i burimeve të ripërtëritshme si një pjesë kyçe e planit të transformimit energjetik është një sfidë e vërtetë për operatorët e sistemit të transmetimit. MEPSO ka dy detyra të rëndësishme për të përmbushur, s’ pari të krijojë kushte për të mundësuar lidhjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjetin e transmetimit dhe së dyti, të menaxhojmë energjinë e prodhuarnë mënyrën e duhur.
Për integrim efikas të burimeve të rinpërtëritshme që do të çojnë drejt tranzicionit të energjisë së gjelbër, nevojiten investime në rrjetin elektrotransmetues, rritje të kapacitetit dhe efiçencës së tij me futjen e teknologjive të duhura, rregulla strikte për balancim, por edhe bashkëpunim rajonal të zgjeruar, platformë balancuese dhe futja e sistemeve të ruajtjes së energjisë.
Deri më tani nuk kemi refuzuar asnjë kërkesë për kyçje të burimeve të ripërtëritshme në rrjet dhe jemi duke bërë plane nëse duhet të rriten kapacitetet e rrjetit. Por, po e them sërish, tani janë rrethana të jashtëzakonshme, jemi në një krizë të rënduar energjetike dhe prioriteti ynë tani si shtet duhet të jetë zbutja e pasojave dhe përpjekjet për të shmangur restrikcionet.
Cila mendoni se është e ardhmja e energjjetikës në vend, a mund të jemi ndonjëherë një vend energjikisht i pavarur nga importi etj.?
Pra, ne në vend deri tani kemi regjistruar(shpallur) rreth katër gigavat kapacitete të fotovoltaikëve dhe mullinjve me erë, ndërsa në letër, deri më tani janë “instaluar” dy gigavat fuqi. Këto kapacitete duhet të realizohen, por janë burime energjie të ndryshueshme në natyrën e prodhimit. Fotovoltaikët nuk mund të prodhojnë energji elektrike gjatë natës ose kur nuk ka diell të mjaftueshëm, etj., por edhe era në këtë rast luan rolin e vet me prezencën ose joprezencës e saj.
Prandaj, sfida për energjetikën e planetit është zhvillimi më i shpejtë i baterive që do të jenë në gjendje të ruajnë energjinë e prodhuar nga era dhe dielli kur ka tepricë dhe më pas ta kthejnë atë në rrjet kur të jetë e nevojshme. Shpresoj që brenda pak vitesh të ketë bateri të përsosura dhe ky problem të tejkalohet ngadalë.
Megjithatë, çekuilibri ndërmjet prodhimit dhe konsumit të burimeve të ripërtëritshme duhet të balancohet nga ajo që quhet energji bazë, dhe atë mund ta marrim nga uji, qymyri dhe gazi. Për shkak se qymyri tashmë bie si opsion, për shkak të axhendës së gjelbër të Evropës, të cilës ne iu bashkuam si vend, dhe gazi, siç mund ta shihni, tashmë e ka humbur epitetin e lëndës së lirë dhe të besueshme, një opsion i mirë për ne është p.sh., projekti i hidrocentralit të Çebrenit . Një projekt që fatkeqësisht është bërë historik për shkak të problemeve dhe vonesave që kanë ndodhur, por nëse realizohet përfundimisht dhe kam njohuri që ekziston interes nga lojtarë seriozë në tregun europian, do të jetë mirë për energjinë bazë që rrjeti të funksionojë pa probleme.