Në fokus të takimit mes drejtorit gjeneral të Sh.A MEPSO, Burim Latifi, dhe drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, Artur Lorkovski, ishin reformat energjetike, lidhja tregtare e bursës vendase të energjisë elektrike me bursat e rajonit dhe BE-së, futja e garancive të origjinës së energjisë elektrike nga MEМО – kompani bijë e ShA MEPSO, si dhe harmonizimi i mëtejshëm i politikave kombëtare energjetike me standardet evropiane.
Gjatë bisedës me Lorkovskin, drejtori gjeneral Latifi vuri theks të veçantë te projektet infrastrukturore në kompetencë të ShA MEPSO, si interkoneksioni me Shqipërinë dhe ndërtimi i TS Miletkovë, si një pjesë e rëndësishme e strategjisë për modernizimin e rrjetit të transmetimit dhe integrimin e tregut energjetik të Maqedonisë së Veriut në tregun rajonal dhe evropian të energjisë elektrike.
Reformat në sektorin e energjisë, të cilat janë të domosdoshme dhe kyçe për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori, vazhdojnë të jenë në fokusin e përpjekjeve të të dyja palëve. Këto aktivitete do të mundësojnë parashikueshmëri më të mirë të tregut, optimizim të kapaciteteve ndërkufitare për transmetimin e energjisë elektrike dhe stabilizim të çmimeve, theksoi Latifi.
Lorkovski konfirmoi mbështetjen e Komunitetit Energjetik për proceset reformuese dhe aktivitetet e ndërmarra nga ShA MEPSO në drejtim të modernizimit të rrjetit të transmetimit.

