• Intervistë e DGj të ShA  MEPSO z. Kushtrim Ramadani: “Kostoja e energjisë elektrike  aktualisht është  problem global”
  • Intervistë e DGj të ShA  MEPSO z. Kushtrim Ramadani: “Kostoja e energjisë elektrike  aktualisht është  problem global”

Intervistë e DGj të ShA MEPSO z. Kushtrim Ramadani: “Kostoja e energjisë elektrike aktualisht është problem global”

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Antoris.mk: A është i vërtetë "kërcënimi" i rritjes drastike të çmimit të energjisë elektrike?

Me po të njëjtin problem të çmimit të energjisë elektrike po përballen edhe vendet nga rajoni si Bullgaria, Serbia etj. Por jo vetëm ata, por edhe në Britaninë e Madhe, për shkak të certifikimeve të CO2, çmimi i energjisë elektrike është rritur dukshëm. Në të gjitha vendet, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë do të jetë shumë më i lartë. Pra, çmimi i energjisë elektrike aktualisht paraqet një problem global.

Antoris.mk: Arsyeja e rritjes së çmimit?

Furnizuesit blejnë nga tregëtarët, ndërsa shitësit blejnë nga prodhuesit. Nëse kostoja e prodhimit rritet, ajo reflekton tek konsumatori përfundimtar. Çmimi i energjisë elektrike në bursë është rritur mjaftueshëm. Ne, si MEPSO, kemi të njëjtën tarifë për të gjithë vitin, të cilën na përcakton Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRrE) për vitin 2021, kështu që nuk kemi ndikim në çmimin përfundimtar për momentin. Kur kërkojmë një çmim të ri, kërkojmë vetëm për pjesën tonë, transmetimin. Transmetimin e kryejmë me linja transmetimi me një kapacitet prej 110 dhe 400 kilovolt.

Antoris.mk: A do të kërkoni një rritje të çmimit të transmetimit për vitin 2022?

Akoma nuk e dimë. Ajo çështje përcaktohet në mes të vitit - 30 qershor. Këtë vit morëm një rritje, jo sepse kishim më shumë shpenzime, por sepse kishim të hyra më të ulëta. Sa i përket të hyrave, ato vijnë nga kapacitetet ndërkufitare, që do të thotë pagesa për transportin e energjisë elektrike që kalon përmes sistemit tonë të transmetimit midis vendeve të tjera, për shembull nga Greqia për në Serbi dhe anasjelltas. Në këtë aspekt, të hyrat tona janë ulur dukshëm. Disa vite më parë kishim një pagesë prej 22-23 milionë eurosh. Vitin e kaluar, ato të hyra ranë në rreth 10 milion euro, që është një ndryshim i madh negativ. Pandemia thjesht goditi edhe këtu, kështu që nuk pati transmetim, për shkak të nevojave të reduktuara të energjisë elektrike. Si shembull mund të paraqes me sa vijon: para pandemisë, energjia elektrike zakonisht kalonte nga Serbia në Greqi, sepse grekët shpenzojnë sasi të mëdha gjatë verës për të plotësuar nevojat e turistëve. Këtë vit ishte e kundërta, më shumë energji elektrike u transferua nga Greqia në Serbi.

Antoris.mk: Cilat janë lidhjet tona elektriko-transmetuese me fqinjët?

Kemi lidhje të shkëlqyera dhe ate mbi 400 kilovolt linjë transmetimi. Kemi një lidhje me Sërbinë,një me Bullgarinë,një me Kosovën dhe dy me Greqinë (Manastir-Lerin dhe Dubrovë-Selanik).

Antoris.mk: Cila është rruga nga blerja, përmes transmetimit, në furnizim?

Energjia elektrike blihet nga tregtarët në bursë. Ata janë kompani të regjistruara si tregtarë të energjisë elektrike.(linku me listën e tregtarëve të licencuar të energjisë elektrike: https://www.erc.org.mk/odluki/2021.02.01%20Spisok%20na%20licencirani%20trgovci%20so%20EE.pdf mz).Pastaj ata ua shesin furnizuesve (linku i furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike: https://www.erc.org.mk/odluki/2021.02.01%20Spisok%20na%20AKTIVNI%20snabduvaci%20so%20EE.pdf mz.), ndërsa furnizuesit e shesin atë tek konsumatorët (amvisëritë ose konsumatorët e mëdhenj, vetëm se  çmimi për amvisëritë  është i rregulluar (i kontrolluar), nuk është në tregun e lirë, ata furnizohet nga EVN home.EVN home energjinë e merr nga Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (ESM). ESM ka për obligim t'i ofrojë energji EVN - furnizuesit universal, në mënyrë që të furnizojë amvisëritë me çmime më të ulëta. Unë mendoj se kjo është një zgjidhje e mire e ligjore edhe praktike! Imagjinoni cili do të ishte çmimi për amvisëritë nëse nuk do të ishte prodhimi vendor i ESM-së? Në të ardhmen, përqindja e transmetimit nga ESM-ja në EVN, sipas Ligjit të Energjetikës, do të ulet. Në tregun e lirë tani çmimet janë më të larta. Tregtarët e energjisë elektrike janë subjekte kyçe përmes të cilëve bëhet shit-blerja e energjisë elektrike në tregun me shumicë.

Antoris.mk: Disa ditë më parë, Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRrE) njoftoi se ka filluar një procedurë për heqjen e licencës së furnizimit për dy kompani, furnizuese të energjisë elektrike në tregun maqedonas. Arsyeja e këtij sanksioni u deklarua si "sjellje e gabuar."Gjegjësisht, furnizuesit dështuan gjatë sigurimit të sasisë së energjisë elektrike të paraparë sipas   kontratave. Ata ishin të paralajmëruar disa herë radhazi që në kohë të sigurojnë të gjithë sasitë e nevojshme të energjisë elektrike për klientët e tyre, por ata dështuan në këtë aspekt, që më pas MEPSO t’i plotësoi nga rezervat që përdor në raste të jashtëzakonshme. KRrE deklaroi se disa kompani u përpoqën të shesin energji elektrike tek konsumatorët me një çmim më të lartë, në vend të atij të rënë dakord, e cila është kundër rregullave. KRrE potencoi se qindra kompani ishin ankuar për probleme me furnizuesit. Çfarë ndodhi me furnizuesit për të cilët Komisioni Rregullator i Energjetikës filloi një procedurë për heqjen e licencave të furnizimit?

Furnizuesit nuk janë edhe aq fajtorë në këtë situatë "të pazakontë" që solli epidemia në të gjithë botën. Është e vërtetë se çmimi i energjisë elektrike në bursat botërore po thyen rekorde. Askush, madje as furnizuesit, nuk prisnin që çmimi i energjisë elektrike në bursa të rritej aq shumë. Ata lidhën kontrata me konsumatorët (me konsumatorët më të vegjël në tregun e lirë) për një çmim prej 50-60 euro për megavat orë, ndërsa e blenë atë, për shembull për 45 euro. Papritmas çmimi i bursës rritet për tre here më shumë. Tani ata janë të detyruar nga tregtarët të blejnë me një çmim prej 150 euro, kurse ata duhet të shesin tek konsumatorët me çmimin e rënë dakord! Pra furnizuesit, dhe pa sanksione të KRrE, për shkak të kushteve të reja të krijuara në treg, mund të themi se janë të shkatërruar. Komisioni Rregullator vepron sipas dispozitave ligjore, ashtu edhe duhet të reagojë, por arsyet e pakënaqësisë së nevojave të konsumatorëve nga furnizuesit janë objektive.Ka një rritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike në të gjithë Evropën. Kjo situatë mund të krahasohet me krizën financiare të vitit 2008. Përsëri po potencoj se askush nuk mund të kishte parashikuar një situate të tillë. Askush nuk priste që pandemia të zgjaste kaq shumë dhe të shkaktonte po kaq dëme kudo nëpër botë.

Antoris.mk: Megjithatë, me atë masë të KRrE-së, një etiketë negative është "mbërthyer" për furnizuesit e sanksionuar, e cila mund të mos jetë objektive?

Po, të njëjtat kompani funksionojnë prej vitesh. Nuk duhet të keqkuptohet se dikush ka bërë diçka "me qëllim", sepse askush i vetëdijshëm nuk do të punonte "në dëm të tij".

Antoris.mk: Çfarë parashikoni për sa i përket çmimit në të ardhmen e afërt, a mund të kthehet në nivelin e mëparshëm?

Për fat të keq, nuk shoh mundësi për ulje të çmimeve. Për shkak të imperativave ligjorë për mbylljen e termocentraleve ndotëse dhe centraleve bërthamore në vendet evropiane (Itali, Austri…), nuk jam optimist. Madje, në planin afatgjatë, mendoj se çmimi do të rritet akoma! Lidhur me termocentralet bërthamore, është mjaftë e diskutueshme, a duhet të ndërtohen apo mbyllen? Unë haptazi jam "për" që ato të ndërtohen. Nëse ato ndërtohen në kushte të rrepta sigurie dhe nëse ka mirëmbajtje sipas të gjitha rregullave, unë mendoj se nuk do të ketë rrezik aksidentesh, siç ndodhi në Çernovil në vitin 1986.

Antoris.mk: Si ndikojnë certifikimet e CO2 në çmimin e energjisë elektrike?

Certifikata CO2 do të thotë: dikush që prodhon energji elektrike nga lëndët djegëse fosile -paguan ndotjen si kompensim për dëmet që i shkakton mjedisit jetësor. Certifikatat rregullojnë sa CO2 mund të lëshojë një vend. Ekziston bursë për ato certifikata. Si funksionon ajo bursë? Për shembull, nëse emetimet e gazit të një vendi janë nën kufirin e sipërm, një vend tjetër mund të blejë një certifikatë nga ai vend në mënyrë që të lëshojë më shumë CO2 sesa është e përkufizuar në atë territor. Në këtë bursë ligjore, çmimi i certifikatave të CO2 është rritur dukshëm dhe kjo është një nga arsyet e mëdha për rritjen aktuale të çmimit të energjisë elektrike.

Antoris.mk: 20 vjet më parë, është diskutuar për mundësinë që Maqedonia të participojë me një përqindje të caktuar në ndërtimin e një centrali të ri bërthamor në Belene, por ajo temë tash më nuk diskutohet. A keni informacion nëse ajo nismë akoma ekziston?

Po, kohët e fundit kam biseduar me kolegët e mi nga Bullgaria dhe jam informuar se fqinji ynë lindor ende nuk ka vendosur nëse do të fillojë ndërtimin e një centrali bërthamor në Belene. Po është interesante se ndërtimi i një centrali të tillë zgjat 20-30 vjet. Prandaj, në fushën tonë, shumica e ideve janë të përqendruara në "energjinë e gjelbër", nga burimet e ripërtëritshme. Dhe presim që investimet të drejtohen sa më shumë në atë kahje. Na është drejtuar një kërkesë për lidhjen e centraleve fotovoltaike me erë me një kapacitet prej 3. gigavatësh. Nëse kjo realizohet, ne nuk do të kemi nevojë për asnjë lloji tjetër të energjisë. Tani, nga hidrocentralet dhe termocentralet, së bashku me TC "Negotino", kemi një prodhim prej rreth dy gigavatësh. Nëse arrihet të ndërtohet hidro-projekti Çebren-Galishte, atëherë do të kemi të ashtuquajturën “energjia bazë” dhe mendoj se duhet të shkojmë po në atë drejtim. Prodhimi i KME ,,Manastir" do të zëvendësohet me kapacitete fotovoltaike, dhe është planifikuar edhe një central gazi. Kjo është arsyeja pse lidhjet që bëjmë me Greqinë për lidhjen e tubacioneve të gazit janë mjaftë të rëndësishme.

Antoris.mk: A ka ndonjë shpresë që akumullimi dhe hidrocentrali Çebren-Galishte, për të cilin po ashtu është folur me dekada, do të fillojë të realizohet?

Kam dëgjuar Kryeministrin se në tenderin për fillimin e ndërtimit kishte shumë konkurrencë nga rreth 30 kompani, dhe në listën e ngushtë kanë mbetur 6-7 kompani.

Antoris.mk: Kohët e fundit, më 29 gusht, u vendos gurthemeli i linjës së transmetimit 400 kV Manastir-Elbasan (Shqipëri). Çfarë do të thotë kjo lidhje për Maqedoninë e Veriut?

Kjo do të na ndihmojë shumë. Do të kemi një lidhje të re me perëndimin, e cila do të përfshijë Shqipërinë, Italinë, Malin e Zi, përmes së cilës do të kemi shkëmbim energjie. Gjëja e dytë e rëndësishme është se, kur do të ndërtohet ajo linjë transmetimi, tensioni do të mund të balancohet lehtësisht me tensionin që tani vjen nga ana lindore e sistemit. Është paraparë që trafostacioni të cilin e ndërton, ”Koncar,”të përfundojë brenda 30 muajsh. Funksioni   largpërçuesit (ndërtuar nga Energoinvest) mund të zgjatet pak për shkak të rritjes së çmimeve të metaleve.

Antoris.mk:  Vitin e kaluar, 2020, MEPSO pati një humbje prej rreth gjashtë milionë eurosh. Cili ishte    shkaku i pësimit të një bilanci të tillë negativ?

Ju thashë, qarkullimi i reduktuar përmes sistemit tonë të transmetimit, për shkak të nevojave të reduktuara të energjisë elektrike të imponuara nga pandemia Covid 19. Ka punësim të tepruar! Por, me këtë ne paguajmë ndërgjegjësinë shoqërore

Antoris.mk:  Në kulmin e asaj krize, ju punësuat një numër të madh të stafit të ri, shpërndajtët bonuse të larta të hollash si për punonjësit ashtu edhe për anëtarët e Këshillit drejtues, ku është arsyetimi ekonomik?

Punësime kishte para fillimit të krizës. Informacionet në media se MEPSO kishte punësime në kulmin e krizës shëndetësore nuk janë të sakta. Po, pagat janë një barrë financiare, por kjo nuk i rrit dukshëm kostot e kompanisë, por problemi qëndron në zvogëlimin e rrjedhës së parasë.

Antoris.mk: A janë punonjësit të kënaqur me pagat?

Po, kemi paga të mira në krahasim me institucionet e tjera në vend. Duke marrë parasysh se të gjithë janë punonjës të kualifikuar, mendoj se pagat janë reale. Por, do të theksoj se në rajon, në veprimtarinë tonë, kemi pagat më të ulëta. Në Kosovë, kryetari i këshillit ka një pagë dy herë e gjysmë më të lartë se e imja. Në ESM janë diçka pak më të larta.

Antoris.mk:  A janë të sakta informacionet se anëtarët e Këshillit drejtues marrin kompensim prej 1800 euro në muaj?

Jo, mendoj se kompensimi është rreth 60 mijë denarë. Sa i përket kompensimi për anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në krahasim me përgjegjësinë e tyre, kompensimi është i vogël. Unë personalisht nuk do të ndërmerrja kurrë një kompensim të tillë për një përgjegjësi kaq të madhe.

Antoris.mk:  Sa është numri i të punësuarve?

Rreth 670 punonjës.

Antoris.mk: A ka mbipunësim?

Po! Por me këtë ne paguajmë ndërgjegjësinë shoqërore. Ne mund të zvogëlojmë numrin e punonjësve, të pushojmë nga puna njerëzit dhe t’i nxjerim në rrugë dhe të rrisim pagat e atyre që do të ngelin. Dhe çka kemi arritur, dikush në rrugë - dikush me pagë tejet të lartë! Ne përpiqemi, në të gjitha mënyrat e mundshme, t’i angazhojmë të gjithë dhe t'i vëmë në funksion. Unë personalisht nuk do të nënshkruaja që dikush të ngelte në rrugë. Për më tepër, lëshime të tilla i orientojnë njerëzit për  jashtë vendit, kështu që inxhinierët tanë do të gjenin  punë menjëherë në vendet më  të zhvilluara si Gjermania, Austria, Zvicra, Franca dhe nuk do të ktheheshin më. Unë jam një nga përjashtimet që u kthye. Kam studiuar, diplomuar dhe kam magjistruar në Grac, por ja tani jam këtu,  në këtë vend,ku edhe  më gjetët.


© 2024 MEPSO. Të gjitha të drejtat e rezervuara.